Deputeti i PD-së, Bledjon Nallbati ka treguar momentin e përplasjes fizike me ligjvënësin socialist, Vullnet Sina gjatë seancës parlamentare.

Deputeti demokrat theksoi se nuk e ka prekur me dorë Vullnet Sinajn, por veproi në kushtet e vetëmbrotjes.

Ai u shpreh se shkoi tek tavolina e deputetit socialist për t’i marrë kartën, por Sinaj e kapi nga duart dhe iu turr për ta qëlluar.

“Që ta sqaroj njëherë e mirë këtë çështje, është hera e parë që prononcohem… ajo çfarë ka ndodhur atje nuk nderon askënd, por sikundër e dini ka një aksion të opozitës për të bllokuan funksionimin normal sa kohë pretendon se i janë ndaluar të drejtat kushtetuese. Bardhi kërkonte fjalën për procedurë, dhe kryetarja i dha fjalën Sinës, i cili po provokonte një opozitë të tërë. Unë shkoj atje për t’i marrë kartën dhe nuk e kam prekur me dorë. Kam marrë kartën, në këto momente më ka kapur duart që të më marrë kartën.

Unë e kam shtyrë për të shkëputur duart, dhe kur unë jam ngritur ai është turrur për të më qëlluar. Më pas mund të kem reaguar në kushte të vetëmbrojtjes. Është më e patolerueshme ajo që bën mazhoranca për të bërë të tilla veprime. SPAK nuk më ka thërritur, por besoj se po dhe unë jam i gatshëm për të dhënë shpjegimet e mia”, tha ai i ftuar në News24.

I pyetur nëse deputetët e opozitës do të futen në grevë urie, ai u shpreh se po.

“Nëse hapat e tjerë që ne mendojmë gjatë kësaj kohë për të vazhduar në seancat plenare apo komisionet parlamentare nuk do japin rezultat, do shkojmë në grevë urie. Ka plot hapa të tjerë deri në mbërritjen e grevës. Beteja po bëhet për mbrojtjen e opozitarizmit. Sa i takon Berishës, nëse është fajtorë, të vazhdojnë. Ne nuk mbrojmë fajtorët. Berisha ka thënë se betejën e tij do ta bëjë vetë”, përfundoi Nallbati.