XHOVAN SHYTI-
Një gazetare në Vlorë, Afrovita Hysaj, pasi shkroi dhe raportoi se nuk ishin tre por katër persona që kishin përdhunuar një vajzë, pasi e kishin droguar, ra pre e një sulmi banal, kriminal, të një pronari televizioni.
Në fakt, sipas versionit zyrtar të policisë, rezulton se gjykata ka dhënë masë ndalimi për 4 persona dhe i katërti pretendohet se nuk është djali i pronarit të televizionit, por, ky i fundit, është keqkuptuar dhe është vërsulur kundër gazetares, në faqen e TV në rrjetet sociale.
Skandal/ Pronari i televizionit kërcënon gazetaren, denoncoi fshehjen e autorit të një abuzimi seksual
Lidhur me këtë ndodhi pati reagim të menjëhershëm nga shumë kolegë e gazetarë, me qëllim sensibilizimin e institucioneve kompetente për të vepruar. Unionet dhe shoqatat e gazetarëve adresuan qëndrimin e tyre në mbështetje të gazetares vlonjate. Kallëzimi i gazetares në polici i dha drejtimin ligjor çështjes, e kështu me radhë.
Në fakt ajo që është më problematike në gjithë këtë kakofoni është sulmi fyes dhe përgjigjja e pyetjes: A do të përsëriten të tilla raste, që numërojnë precedentë të mëparshëm? Patjetër që do të përsëriten. Do të përsëriten, sepse mungon një ligj i fortë në lidhje me mediat “online”. Mungon ligji që raste të tilla t’i vlerësojë si “masa sigurie” dhe kallëzimet për mediat “online” të shqyrtohet brenda 48 apo 72 orëve, duke shërbyer si një masë sigurie.
Sikurse mungon fakti që mediat anonime të mos lejohen të vijojnë sulmet përbaltëse, por të bllokohen menjëherë nga AKSHI në territorin e Shqipërisë.
Gjuha denigruese ndaj gazetares/ Kryetarja e AMA-s: E rëndë, të vendoset rregullore për mediat “online”
Të regjistrohen apo të mbajnë përgjegjësi para gjykatave në mënyrë më të shpejtë të kryhet ndëshkimi për ata që kryejnë këto akte.
Sot në Shqipëri ekzistojnë pronarë mediash që kanë portale anonime. Po, po. Për ata që nuk e dinë: ka pronarë mediash që kanë hapur portale anonimë me qëllimin e demotivimit apo mbrojtjes së imazhit të tyre. Ka gazetarë, kamikazë gjobash dhe shantazhesh, kërcënimesh dhe fyerjesh që këta biçim pronarësh i kanë mbajtur dhe i mbajnë në redaksitë e tyre, duke u hapur dhe portale anonime.
Kërkojnë llogari nga anonimati. Akuza si të jenë hetues të diktaturës, mendjet e tyra të sëmura shpikin e manipulojnë ç’të mundin. Janë në mision në monolog ham ham. Këlyshit që leh nuk mund t’i thuash pusho, sepse ai bën më keq.
Kanë sulmuar gjytarë e prokurorë për llogari të krimit. Kanë sulmuar politikanë. Kanë sulmuar biznesmenë. Janë me dhjetëra raste të provuara.
Ligji i ri për mediat si një zgjidhje ndaj shantazhuesve, shpifësve dhe gjobaxhinjve
Është provuar që prej tyre janë sulmuar biznesmenë dhe më pas është shfaqur zyra e marketingut dhe pronarit të medias së marrë, çka ka konfirmuar se anonimi nuk është thjesht dhe vetëm një gazetar gjobaxhi që po mbush xhepat me para të pista, apo, më keq akoma, i shërben krimit e korrupsionit, dhe, siç kemi dëgjuar, i shërben eprorit të tij kontigjent të këtyre bandave. Këtu nga këlyshë që lehin, kthehen në këlyshë gjobaxhinj, kontigjent i bandave, krimit dhe korrupsionit.
Për fat të keq, këtë nuk e bën një, por disa pronarë televizionesh, politika, etj., duke përdorur edhe disa faqe anonime në rrjetet sociale.
Pse rasti i Afrovitës do të përsëritet sërish
Për shkak të rregullave të rrjeteve sociale, shumë prej tyre janë të kujdesshëm në artikulime, në fyerje, në sharje, pasi bllokohen, fshihen, kurse në “web”-e përdorin faqe anonime të paregjistruara, shoqëri që marrin reklama, në fakt dhe pagesa të regjistruara në emra të tjerë. Më pas çojnë në likuiditet, fshihen, nuk paraqiten apo përballen. Dikush gënjen dikë tjetër e kështu me radhë.
Prandaj rasti i Afrovitës është alarmi i radhës që vjen pas asaj thënies së fundit, nga shumë biznesmenë të cilët apelojnë domosdoshmërinë e një ligj të ri për mediat “online”.
Sepse ka ardhur koha tashmë të jetë e qartë kush janë mediat e vërteta, kush janë gjobaxhinjtë, ata që dihen dhe ata që fshihen dhe shefat e tyre që bëjnë editoriale sikur nuk i njohin ata që mbajnë në punë dhe i paguajnë gazetarët, vartësit e tyre, që u japin rrogën e më pas fytyra e tyre del në lajmet kryesore si editorial. Krimi, media, tenton të fshihet, por sot është në publik.
Është më imediate se kurrë që komuniteti i gazetarëve të reagojë duke qenë solidar, të ketë një zë, jo vetëm në rastin e Afrovitës, vajzës gazetare që sulmoi pronari, por edhe në të gjitha rastet kur anonimët gjobaxhinjë, të keqpërdorur nga pronarët e mediave, të cilët edhe vetë janë njerëz të korruptuar, të lidhur me krimin, të përfshirë në akte të vjedhjes së tenderëve publikë dhe korrupsioni me pushtetin e kështu me radhë, të çdo lloj ngjyre, të çdo lloj forme. Duhet reagim kur sulmojnë biznesmenë, gjyqtarë, prokurorë etj. në mënyrë kriminale pa asnjë argument e profesionalizëm, por për llogari të gjobës dhe krimit që i urdhëron.
Në rast se nuk bëhet kjo, pra nëse të gjithë nuk bëhen një zë për të drejtuar gishtin në plagë, rasti “Afrovita” do të përsëritet e do të përsëritet pa ndalim. Ai do të ketë thjesht dhe vetëm reagim njëditor, dyditor dhe kaq.
Duhen bërë shembuj shantazhuesit, gjobaxhinjtë, eprorët e tyre dhe ata që janë të lidhur me krimin në media dhe ata që guxojnë të ngrenë dorën për t’i vënë gjobë biznesit apo ata që marrin para nga një palë për të sulmuar palën tjetër.
Anonimatët, të cilët në rast se nuk regjistrohen, nuk kanë adresë të saktë, nuk kanë përgjegjësi ligjore, nuk kanë kryeredaktor, nuk kanë media të regjistruar në tatime, nuk paguajnë taksa, duhet jo vetëm të mbyllen, por të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Të ndëshkohen nga një ligj që të jetë shumë i ashpër dhe të mos mbetemi thjesht dhe vetëm me atë që është bërë dikur, shumë vite më parë me dekriminalizimin e shpifjes. Jo, jemi ende shumë larg një klasifikimi të tillë. Jemi ende në parashoqëri dhe nuk mund të konvertohemi në shoqëri nëse nuk ndajmë grurin nga egjra.
Shpifja, fyerja dhe gjobat duhen kriminalizuar shumë herë më tepër në ligjin shqiptar për të vënë mend njëherë e mirë sharlatanët publikë që përdoren nga eprorët e tyre si kallashnikovë kundër gazetarëve, kolegëve të tyre, kundër atyre që luftojnë çdo ditë për të vërtetën në Shqipëri dhe bien viktimë e luftës të banditëve mediatikë të paguar nga krimi dhe korrupsioni./ CNA