Sali Berisha ka dalë përsëri në një konferencë për mediat, pak minuta para orarit që ishte thirrur në gjykatë për tu pyetur lidhur me aferën e privatizimit të kompleksit ‘Partizani’, ku përsëriti se akuzat e tij janë politike.

Berisha tha se Rama i ka shpallur luftë totale opozitës, ndaj këta të fundit do t’i përgjigjen me gjithë forcën e tyre.

“Siç e dini, Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës dhe unë u them demokratëve kudo që janë, se me aktin e fundit, ai ka shpallur një luftë totale, për të cilën ne do t’i përgjigjemi me të gjithë forcën dhe mundësitë tona.

Procesi është procesi më politik i këtij shekulli. Në proces nuk është vetëm Sali Berisha dhe familjarët e tij, jo, absolutisht.

Në proces janë reformat epokale të PD-së, të cilat goditen nga një gardë pretoriane, të cilat goditen nga falanga politike krimi, në një analizë që dëshmon urrejtjen e tyre për reformat e tregut të lirë dhe demokracisë që ka ndërmarrë PD në vite.

Çdo demokrat duhet të ndihet krenar me to”, tha Berisha.