Arrestimi i dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezit, masa ndaj ish-kryeministrit si dhe ndaj ndërtuesit Fatmir Bektashi në lidhje me aferën për privatizimit të ish- kompleksit ‘Partizani’, ishte temë diskutimi në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv mbrëmjen e djeshme.
Fatbardh Kadilli, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së u shpreh se fakti që SPAK afrohet tek Berisha është lajm i mirë se tregon që nuk ka njerëz të pahetushëm.
“Është ngjarja më e fortë që ka ndodhur që nga reforma në Drejtësi. Berisha ka qënë gjithnjë personi më i fuqishëm pas KM, kur nuk ka qenë vet KM.
Fakti që SPAK afrohet tek Berisha është lajm i mirë se tregon që nuk ka njerëz të pahetushëm. Nga ana tjetër është prova zjarrit për institucionet e drejtësisë së re. A do jetë një drejtësi që i largohet traditës, që nuk negocion me pushtetin, që është profesionale dhe nuk cënon dinjitetin e individit.
Çështja e masës së sigurisë së Z Berisha ha debat, por anoj nga vlerësimi që kufizimi i lirisë nuk është heqje lirie. Gjykata ka bërë politikë penale. Ka dashur të shmangë agravimin e situatës në publik. Një zgjedhje që nuk do ta kundërshtoja kur bëhet fjalë për Z Berisha, por nga ana tjetër arestimi i z Malltezi e shoh të panevojshëm. Kjo lidhet me sa profesoonale është drejtësia e re. Nqs hetojmë një rast korrupsioni, me dokumentacione që fillojnë në vitet 90 deri 2014, çfarë rrezikshmëria paraqet Malltezi për ato dokumente?
Prova e zjarrit i përket edhe shoqërisë shqiptare edhe medias. Po vazhdohet tradita që njëra palë bën prokurorin, tjetra avokatin. Po bëhet në gjyq publik. Vetpërmbajtaj do ishte ndihma më e mirë për drejtësinë. Se ky vend nuk ka pasur drejtësi. Nuk jemi mësuar me institucion drejtësie që të gjykojë njeriun më të rëndësishëm të vendit që do jetë nesër KM Rama, se radha tek ai do shkoj”, tha Kadilli për Report TV.
Kadilli shprehet se Berisha i është shmangur gjithmonë drejtësisë, dhe po të ishte burrë shteti do të shkonte në gjykatë dhe të ballafaqohej atje.
“Berisha ka zgjedhur të bëjë lojën politike. As nuk i intereson fare aspekti juridik. Gjithmonë i është shmangur drejtësisë dhe do vazhdoj t’i shmanget drejtësisë. Po të ishte burrë shteti do të thoshte, po shkoj në gjykatë dhe prokurori dhe ballafaqohem atje. Nuk kam komente, komentet i bëj atje. Kur fillon bën avokatinë me enturazhin e drejtuesve të PD, me logon e PD nga mbrapa, ky është një përdorim i pastër i partisë.
Ka tre monente shumë të hidhura për PD-në kur Z Berisha abuzon me partinë demokratike. I pari, pas humbjes katastrofike të vitit 2013, dha dorëheqjen por nuk hoqi dorë nga kontrolli absolut i partisë. E dyta, kur u shpall non-grata, nuk e kurseu partinë demokratike. E përdori PD për hallin e vet personal. E treta është kësaj rradhe. Shpresoj që ajo çfarë pashë atë ditë, që në seli kishte më shumë gazetarë se sa politikan të karierës, të jetë lajm i mirë që demokratët më në fund ta kenë kuptuar që po përdoren nga Sali Berisha. Përdorimi politik nuk i shkon një burri shteti. Çfarë mesazhi i japim shoqërisë ne si politikan? Si i ndihmojmë institucionet e drejtësisë? Apo vazhdojmë t’i shkatërrojmë këto institucione, kur prokuroren e quan shërbëtore, policët qyqar? Kjo traditë e keqe ka marrë fund. Nga qytetari shqiptar është ndëshkuar me votë.
Unë nuk i përkas kësaj pjese të politikës. Nuk i përkas atyre besnikëve që për fat të keq i shoh aty duke shërbyer. Me keqardhje them se tani kuptoj jo vetëm unë, por gjithë të tjerët, pse disa kanë bërë karierë. Se mjafton të shikosh emrat që u dalin në këto dosje për të kuptuar pse njerëz pa asnjë vlerë publike, pa asnjë ide politike kanë bërë karierë të sigurt dhe jo vetëm kaq, por z Berisha ua vurri mbi kokë demokratëve. Karierë e tyre e garantuar vetëm nga këto shërbime personale. Se këta që kanë shërbyer bëjnë prap sot avokatin. Për këtë demokratët duhet të hapin sytë. Politika nuk është për borxhe personale. Nuk kam hyrë në politikë se i kam borxh kujt. Kam hyrë se i kam borxh vetëm besimit dhe ideve të mija dhe i kam borxh qytetarëve që dua t’u shërbej”, tha Kadilli.
Ky i fundit shton se Berisha nuk duhet të përdorë flamurin e PD-së për të mbrojtur veten. Kadilli tha se quan sot diktaturë, ndërkohë që ndërton 17 pallate.
“Unë e kujtoj shumë mirë opozitën e viteve 97-2005, kur ndodhte një cënim nga institucionet e drejtësisë që në atë kohë ishin shumë të kontrolluara nga pushteti, reagimi i demokratëve ishte i menjëhershëm. Selia kthehej si epiqëndër e një vorbulle energjie. Selia e PD tani tregoi se demokratëve iu hapën sytë dhe nuk i shkojnë mbrapa kësaj politike të vjetër. Po ke një akuzë juridike, përballu me drejtësinë. Mos përsor flamurin e partisë, se tek ai flamur kam edhe unë pjesën time, ka pjesën e vet çdo demokrat. Tek ai flamur kam moralin historik unë si ish i persekutuar dhe shpronësuar.
Dhe, kur thua që kjo sot është diktaturë, diktaturë ku ti ndërton 17 pallate, dhe ma quan diktaturë? Po çduhet të themi ne për atë që ndodhi në‘45, që na morrën nga pallatet dhe na çuan në bodrume? Çfarë diktature është kjo kur ndërton 17 pallate? A ka abuzime ky shtet? A përdor pushtetin dhe e deformon demokracinë Edi Rama? Po. Sa të duash? Por kujdes me fjalët.
Shqipëria ka një demokraci të brishtë dhe të deformuar në shumicën e rasteve. Por, kjo sot është opozië luksi krahasuar me atë 97-2005. Ndaj kujdes me fjalët. Se kur u themi njerëzve është diktaturë ata qeshin me atë që e thotë në rradhë të parë, ndaj dhe nuk e ndjekin më. Nqs duam të bëjmë diçka serioze ne duhet të nxisim dhe të krijojmë drejtësi. Se vetëm drejtësia e mbron demokracisë.”, shtoi Kadilli.
Më tej, Kadilli shton se demokratët duhet të zgjedhin nëse duan një opozitë që u përgjgijet shqiptarëve apo do të ndjekin Berishën në hallin e tij personal.
“Demokratët duhet të zgjedhin. Do ndërtojnë një opozitë me ide, një opozitë që u përgjigjet shqiptarëve apo do vazhdojnë të ndjekin Berishën në hallin e vet. Kjo nuk zgjidhet as me qëndrime si ai i Deputetit G. Bardhi që më kujton atë batutën e një filmi, “për një viç më zu nata jashtë”. Bëri një lëvizje para tre javësh dhe tani nuk di nga të kthehet.
I dhe z. Basha, është e papranushmë që rri në heshtje. Një person që merr përgjegjësinë të drejtoj PD duhet t’i dali zot aksionit politik dhe jo të bëj deklarata efemere ku duhet të lexosh me kujdes të kuptosh çfarë ka dashur të thotë. Ngjajnë si deklarata ambasadorësh. Edhe shprehjet që të gjithë që kanë bërë korrupsion të shkojnë para drejtësisë nuk mjaftojnë. Këtë e thonë të gjithë, e thotë dhe Berisha edhe pse s’shkon”, tha Kadilli në Report TV.
Anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së tha se Berisha e ka të humbur gjyqin public që po bën, dhe nuk i bind dot njerëzit që nuk e ka ndihmuar dhëndrin e tij në privatizimin e klubit ‘Partizani’.
“Unë nuk kam kuriozitet dhe nuk dua të merrem me çështjen ligjore. Por gjyqin publik që po tenton të bëj Berisha e ke të humbur. Nuk do i bind dot njerëzit se nuk e ka ndihmuar dhëndrin në privatizimin e Klubit Partizani, çfarëdo që të thotë. Edhe sikur të mos këtë asnjë shkelje ligjore, nuk bind dot njeri që nuk e ka përdorur pushtetin. Kjo është betejë morale e humbur. Kjo vetëm harxhon energjitë e demokratëve. Shko në gjykatë dhe ballafaqohu me dinjitet”, përfundoi Kadilli.