Franca nuk mund të bllokojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Është ky qëndrimi i Komisionit Europian pas deklaratës të Emanuel Macron në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Anitta Hiper zëdhënëse e KE për A2 CNN: Shtete të veçanta anëtare nuk mund të vendosin të pezullojnë një regjim pa viza. Rregullat në lidhje me dhënien, pezullimin ose përfundimin e përjashtimeve të vizave janë plotësisht të harmonizuara në nivel të BE-së dhe kërkojnë vendime në nivel të BE-së.

Krahas kësaj, Komisioni evidenton qartësisht se nga 1 janari i vitit 2024, qytetarëve kosovarë nuk do t’ju nevojitet më një vizë për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Anitta Hiper zëdhënëse e KE: Liberalizimi i vizave për shtetasit e Kosovës do të hyjë në fuqi në 1 janar të vitit 2024. Do t’ u lejojë qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë në hapësirën e Bashkimit Europian pa viza për 90 ditë në çdo periudhë kohore prej 180 ditësh.

Liberalizimi i vizave për Kosovën u bë sërish çështje mediatike pas pohimeve të shefit të Elizesë në Tiranë, ku mesa duket nuk mund ta afektojnë dot vendimmarrjen e mëparshme të institucioneve të Bashkimit Europian.