Ky është mësuesi Dominique Bernard.
Një ekstremist çeçen e vrau para ca ditësh te shkallët e liceut francez ku jepte mësim, duke bërtitur “Allahu akber!”
(Kurrë nuk e kam kuptuar pse e ngatërrojnë zotin në këto punë të ulta)
Dje gjeta këtë shkrim që një kolege ia kishte kushtuar.
Dominik,
E shoh siluetën tënde te shkallët e liceut, ku mbërritëm bashkë për të dhënë mësim. I ngjitëm ato pak shkallë të rënduar nga çantat, detyrat e nxënësve, librat dhe idetë tona. Të ngarkuar, por aq zemërlehtë! Sepse ti dhe unë do të bënim atë që donim, atë për të cilën ishim prerë të bënim : të jepnim mësim.
Shoh siluetën tënde në dhomën e mësuesve, shoh gjithmonë këmishën tënde, kupën e kafesë që mbanit në dorë, buzëqeshjen çapkëne, se gjithnjë kishe diçka me humor për të thënë.
Ishte e vështirë të mos të afrohesha, të mos të të dëgjoja. Nuk mund të rrija pa patur kënaqësinë e një këshille leximi, e një anekdote. E një asgjëje. E një gjithçkaje.
E shoh siluetën tënde në korridore, përballë një klase disi të hallakatur ku prania tënde sjell qetësinë. Eshtë zoti Bernard çuna, ndaj : Bonjour, m’sieur.
Ti ishe aty për ta, ata e kishin kuptuar këtë dhe ashtu rrëmujshëm ushqeheshin me pasionin tënd ngjitës për letërsinë, me besimin te ju si njeri, me shpresën që atyre u ushqeje.
E shoh siluetën tende te shkallët e liceut tonë. E shoh kur ne arrinim bashkë dhe ti u thoje cigarepirëseve « hë çuna, e ndezim që të shtojmë edhe nga një gozhdë në arkivolin tonë »
Çfarë ironie tragjike që në të njëjtën shkallë të liceut ku të ishin frruar aq tabanë këpucësh, ta morën jetën. Ti nuk e kishe kërkuar atë gozhdë. Ajo u ngul te ty rastësisht nga një urrejtje e verbër dhe primitive.
Ironi po ashtu që një gjest i tillë i zymtë, i përzishëm goditi atë që Viktor Hygoi do të mund të quante « pishtarmbajtës »
Ja, ti je ngritur në shkallën e dëshmorëve, ti njeriu i tërhequr. Dhe çfarë humbje për botën.
Nuk do ta harroj kurrë siluetën tënde, te shkallët e liceut Gambetta.
Aurélie.