Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko ka publikuar një video të Sali Berishës, në të cilën ai vlerëson lëvizjen e çadrës së PD nga Lulzim Basha asokohe.

Bejko u shpreh se “non-grata” po tallet me njerëzit që ende i besojnë revolucionit të tij “imagjinar me prova gjenerale”. Ai e cilësoi Berishën si “ortaku më i vlefshëm i pushtetit të korruptuar të Edi Ramës”, ndërsa u shpreh se “të dy mbajnë njëri-tjetrin”.

“Non grata vijon të tallet pa u skuqur me njerëzit që ende i besojnë revolucionit të tij imagjinar me prova gjenerale.
Nuk duhet marrë seriozisht.

Sali Berisha është ortaku më i vlefshëm i pushtetit të korruptuar të Edi Ramës. Të dy mbajnë njëri-tjetrin.
Fatkeqësisht, siç tashmë është fakt, non grata ishte pengesa e demokratëve për të ardhur në pushtet dhe është sot arsyeja e përçarjes mes tyre.

Sali Berisha nuk ka si synim të rrëzojë Edi Ramën, por thjeshtë mundohet të mbajë peng Partinë Demokratike për hallin e tij dhe të familjes së tij, që siç e faktojnë dhe shpalljet non grata, nga Britania e Madhe dhe SHBA, është zhytur në korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

Por koha kur halli i Berishës ishte edhe halli i PD ka përfunduar.
Berisha t’i qajë hallet e veta bashkë me Ramën në SPAK.

Partia Demokratike është në rrugën e saj për t’u shndërruar në alternativën që duan dhe presin shqiptarët
Ps: Dëgjoni sesi mashtron pa i’u dridhur syri Sali Berisha. Ja çfarë thoshte për marrëveshjen e 17 majit 2017 kur ende nuk kishte mbi shpinë damkën e aleatëve strategjikë”, shkruan Bejko.