Presidenti i FSHF-së i kërkoi ndjesë Gjimshitit që nuk u grumbullua në Euro 2016. “Kombëtarja të ka borxh”, tha ai. Gjimshiti u përgjigj: “Shqipëria nuk më ka asnjë borxh, unë i kam borxh Shqipërisë”.
Lind pyetja:
Futbollistin në kombëtare cili duhet ta ftojë, cili është përgjegjës për këtë, presidenti, federata, apo trajneri?
Nëse është ky i fundit, pra trajneri, atëherë i takon këtij të fundit të kërkojë ndjesë nëse nuk e ka ftuar një lojtar që e meriton!
Nëse presidenti e ka ditur që po bëhej një padrejtësi, atëherë duhej të ndërhynte, por që nuk e bëri me Gjimshitin.
Madje nuk e ka bërë as me Rrahmanin dhe as me Rashicën në Euro 2016, të cilët papritur nuk u përfshinë në listë!
Atëherë nëse vendos presidenti se cili lojtar do të afrohet apo largohet nga kombëtarja, le ta pranojë hapur se ska problem.
Gjithsesi mund të reflektoni nga e kaluara në Berlin….
Kur të bëni listën e kombëtares për europian, kujdes Dakun dhe Mujën dhe disa lojtarë të tjerë se mos i lini jasht si Rashicën dhe Rrahmanin, me argumentin që nuk kanë dhënë shumë në fushë gjatë eliminatoreve…!
Se deri në Europian do ju shtohet shumë lista e lojtarëve që e “meritojnë” të jenë atje dhe sidomos do shtohet lista e dëshirave.
Kombëtarja ka heronjtë e saj. Janë ata që derdhën djersën në të kaluarën, po e bëjnë tani dhe do ta bëjnë dhe në të ardhmen. Gjimshiti e bëri për Shqipërinë, ashtu si të gjithë lojtarët e kombëtares.
Po e mbyll me lirinë e mendimit të Dakut pas ndeshjes: “Kombëtarja është e vetmja gjë që na bashkon sot. Le ta duam edhe më shumë” (Edmond Sufaj)