Themeluesi i lëvizjes politike “Shqipëria bëhet” Adriatik Lapaj tha se akuzat e Evi Kokalarit ndaj tij, janë akuza boshe.
Një ditë më parë Kokalari ngriti shqetësimin se lëvizja “Shqipëria bëhet” nuk është transparente me fondet e saj, por sipas Lapaj, çdo gjë është e dokumentuar.
Ai tha se qiraja e zyrave është më e lartë nga ajo që zonja Kokalari tha, por pagesat janë bërë nga themeluesit e lëvizjes dhe nga të ardhurat e tyre, ndërsa shtoi se çdo shpenzim është lehtësisht i verifikueshëm.
“Ky është një bashkim njerëzish, profesionistësh, të cilët janë të realizuar në fushat e tyre. Deri më tani kjo lëvizje është mbajtur me vetëfinancimet e themeluesve. Ky është momenti i parë, gjatë kësaj jave ne do të publikojmë web-in, në organe zyrtare, ku do të jetë edhe mundësia e financimit nga palë të treta.
Deri më tani lëvizja është mbajtur me financimet e themeluesve. Nëse zonja Kokalari ka ndonjë paqartësi për të ardhurat e mia apo të themeluesve të tjerë ti adresojë zyrtarisht, janë të gjitha me fatura.
Qenka shqetësuar shumë zonja Kokalari për aftësinë tonë paguese të zyrave, nuk shqetësohet se ku shkojnë 6 miliardë euro në vit buxhet i shtetit shqiptar.
Unë nuk merrem më me zonjën Kokalari se nuk e konsideroj. Unë s’mund të them më shumë janë lekët e mia, të Gysit, të Edlirës, të Florit. mund të them më shumë se kaq? Janë harxhuar kostot e zyrave, që janë më shumë se ç’tha ajo. Janë 2800 euro janë qiratë e zyrave të “Shqipëria Bëhet”, janë të paguara me bankë”, tha Lapaj në Euronews Albania .
I pyetur nëse ka mbështetjen e amerikanëve Lapaj tha se këtë gjë ai nuk e ka përmendur në asnjë moment. Ndërkohë për pretendimet e Evi Kokalarit se ai shtiret duke pretenduar se ka Amerikën pas vetes, Lapaj tha:
“Shtirem unë! Ku e keni dëgjuar më gjeni një sekuencë kur e kam thënë?! Unë nuk merrem me ëndrrat e njerëzve. Unë nuk e kam pretenduar ndonjëherë. Unë besoj fort se Shqipëria bëhet nga shqiptarët, ose zhbëhet nga shqiptarët”.