Megjithëse skema e rritjes së çmimit të patentave u bllokua nga Autoriteti i Konkurrencës, urdhri i paralajmëruar u la në veprim për 2 javë, për të krijuar panikun e nxitjes së regjistrimeve masive nëpër auto-shkolla, të cilat siguruan miliona lekë të ardhura.
Sipas të dhënave, më 15-28 shkurt 2023, në Shqipëri u regjistruan 11 mijë persona për leje drejtimi automjetesh, afro 80% e të cilëve në Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë, Shkodër e Vlorë.
Kjo dyndje shpërtheu pas përhapjes së lajmit nga Blendi Gonxhe, Drejtori i Transportit Rrugor dhe Behar Laze, sekser i drejtorit e kryetar i shoqatës fantazmë të auto-shkollave, për dyfishimin e tarifave të patentave më 1 mars.
Qytetarët nxituan të regjistroheshin për patenta me çmimin aktual, duke e ditur që shefat e këtij pushteti e sidomos drejtorë “monstra” si Blendi Gonxhe, të zhvasin duke nxjerrë urdhra e vendime të paligjshme e pa konsulencë publike.
Skema e panikut të rritjes së çmimeve për patentat, ishte si paniku që përhapën oligarkët e miellit kur nisi lufta në Ukrainë, duke thënë se nuk do kishte më miell, po pakësoheshin rezervat e ishin trefishuar çmimet në import, duke shitur me çmim dyfish e në sasi të pazakonta.
Por çmimi i patentave, nuk u bllokua nga kryepazarxhinjtë Denar Biba e Adriana Berberi të Autoritetit të Konkurrencës, se këta heshtën për dy javë pasi Blendi Gonxhe nxori urdhrin, deri sa qytetarët u dynden për regjistrime në auto-shkolla e rifreskim patentash, pasiasi Biba e Berberi ishin pjesë e pazarit për të marrë “llokma” nga banda e Behar Lazes.
Fillimisht, Blendi Goxhe e publikoi si urdhër të prerë të Drejtorisë së Transporteve, që çmimet patentave do bëheshin 850 mijë lekë, por pas reagimit të mediave e qytetarëve, tha se është vendim i përbashkët me Tatimet dhe Shoqatën e Auto-shkollave.
Më 28 shkurt, Edi Rama urdhëroi Blendi Gonxhen të anulonte vjedhjen, sikur gjoja e kishte bllokuar Autoriteti i Konkurrencës.
Skemën e hajdutëve Blendi Gonxhe e Behar Laze, e bllokoi Edi Rama me një mesazh, për të mos pasur firo votash në zgjedhjet e 14 majit, ngaqë pati reagim masiv nga qytetarët. Të shpresojmë që pas zgjedhjeve çmimet e patentave nuk do të dyfishohen./Pamfleti