Janë bërë një javë nga sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës, që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, ku i vrarë mbeti rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos zyrtari tjetër policor Alban Rashiti.
Që nga ajo e ditë (e diel) e deri më tani Policia e Kosovës ka vazhduar me operacionet e saja ku ka konfiskuar arsenal armësh në zonën ku ndodhi sulmi, duke përfshirë këtu: granatahedhës, antiplumb, karikator me fishekë, kapela ushtarake, dorëza, pushkë gjuetie, snjaper, radiolidhje etj.
Të gjitha këto sipas Policisë së Kosovës i takonin grupit të armatosur terroristë i cili përbëhej nga më shumë se 30 veta, të cilët pas sulmit u fshehën në Manastirin e Banjskës.
Përveç armëve policia konfiskoi edhe një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një makineri e rëndë (bager).
Të dielën e 1 tetorit, Policia e Kosovës dhe MPB-ja shpalosën fakte të reja që ndërlidhen me sulmin terrorist të 24 shtatorit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla shpalosen detaje të tjera lidhur me gjetjen në vazhdimësi të armëve të ndryshme, organizimin, trajnimin dhe përgatitjen e grupit terrorist në malet e Serbisë, për të sulmuar territorin dhe Policinë e Republikës së Kosovës.
Nga dëshmitë e konfiskuara prej grupit terrorist, posaçërisht nga dronët e tyre janë nxjerrë pamje reale ku shihen anëtarët e grupit terroristë duke kryer përgatitje, trajnime si dhe duke stimuluar operacione të sulmeve të ndryshme.