Për shumë astronomë, pyetja e ka jetë diku tjetër në univers e ka tashmë përgjigjen. Pyetja është kur do të gjendet.
Një pjesë e madhe e astronomëve janë optimistë për zbulimin e shenjave të jetës në një botë të largët brenda disa viteve.
Një shkencëtar i cili drejton një mision në Jupiter, shkon aq larg sa thotë se do të ishte “e habitshme” nëse nuk do të kishte jetë në një nga hënat e akullta të këtij planeti.
Teleskopi Hapësinor James Webb i NASA-s (JWST) së fundmi zbuloi të dhëna që të bëjnë të mendosh se mund të ketë jetë në një planet jashtë Sistemit tonë Diellor.
“Ne jetojmë në një Univers të pafund, me yje dhe planetë të pafund. Dhe është e qartë për shumë prej nesh se ne nuk mund të jemi e vetmja jetë inteligjente atje,” thotë prof Catherine Heymans nga Royal Astronomy e Skocisë.
“Tani kemi teknologjinë dhe aftësinë për t’iu përgjigjur pyetjes nëse jemi vetëm në kozmos”.
Teleskopët tani mund t’i analizojnë atmosferat e planetëve që rrotullohen rreth yjeve të largët, duke kërkuar për kimikate që – të paktën në Tokë – mund të prodhohen vetëm nga organizmat e gjallë.
Një zbulim i tillë erdhi në fillim të këtij muaji. Shenja e mundshme e një gazi që, në Tokë, prodhohet nga organizma të thjeshtë detarë, u zbulua në atmosferën e një planeti të quajtur K2-18b, 120 vite dritë larg.
Planeti ndodhet në atë që astronomët e quajnë “zona e Goldilocks” – distanca optimale nga ylli, që bën të mundur që temperatura e sipërfaqes të mos jetë as shumë e nxehtë dhe as shumë e ftohtë, por për të pasur ujin si baza e jetës.
Nëse aty nuk gjendet jetë, në të njëjtën zonë janë edhe 10 planetë të tjerë që kanë kushte të ngjashme.
Ndërkohë, NASA po planifikon Observatorin e Botëve të Banueshme (HWO), i cili pritet të vihet funksion në vitet 2030. Falë teknologjisë së tij të lartë, drita e yllit rreth të cilit rrotullohet një planet minimizohet dhe kjo e bën të mundur të dallohen më qartë atmosferat e planetëve të ngjashëm me tonin.
Për më tepër, brenda kësaj dekade do të kemi teleskopin online Extremely Large Telescope, i cili e vëzhgon qiellin nga shkretëtira e Kilit. Ai ka pasqyrën më të madhe të çdo instrumenti të ndërtuar, 39 metra në diametër, dhe kjo bën të mundur të shohim shumë më shumë detaje në atmosferat planetare sesa me paraardhësit e tij.
Ndërsa disa shikojnë planetët e largët, të tjerët po e kufizojnë kërkimin e tyre në “oborrin e shtëpisë”, pra në planetët e sistemit tonë diellor. Një nga objektet qiellore që kanë kapacitetin për të strehuar jetë është një nga hënat e akullta të Jupiterit, Europa. Ajo ka një oqean nën sipërfaqen e saj të akullt, nga i cili shtëllungat e avullit të ujit lëshohen në hapësirë.
Misionet Clipper të NASA-s dhe misionet e Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) të Jupiterit Icy Moons Explorer (Juice) do të mbërrijnë atje në fillim të viteve 2030.
Prof. Michelle Dougherty, drejtuese e misionit evropian, është entuziaste.
“Do të ishte e habitshme nëse nuk do të kishte jetë në një nga hënat e akullta të Jupiterit”.
Nasa po dërgon edhe një anije kozmike të quajtur Dragonfly në një nga hënat e Saturnit, Titan. Është një botë ekzotike me liqene dhe re kimikatesh të pasura me karbon, të cilat i japin planetit një mjegull të frikshme portokalli. Së bashku me ujin, këto kimikate mendohet se janë një përbërës i domosdoshëm për jetën.
Përveç këtyre kërkimeve, mbetet edhe mundësia që jeta aliene të vijë vetë te ne.
Tridhjetë vjet më parë, nuk kishte asnjë provë që planetët rrotulloheshin rreth yjeve të tjerë. Tani janë zbuluar më shumë se 5000 dhe ata do të studiohen në detaje nga astronomët dhe astrobiologët.
Dr Subhajit Sarker nga Universiteti i Cardiff-it, anëtar i ekipit që studion K2-18b, thotë se zbulimi i gjurmëve të jetës në planetë të tjerë do të ndryshonte vetë njerëzimin.
“Nëse gjejmë shenja jete, do të jetë një revolucion në shkencë dhe një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si njerëzimi e shikon veten dhe vendin e tij në Univers”.