Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali ka reaguar pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se KFOR-i duhet të marrë nën kontroll veriun e vendit, pas sulmit terrorist të së dielës ndaj Policisë së Kosovës.
Mihali ka thënë se Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar nga KFOR që ta marrë kontrollin në veri e as që do ta bëjë, derisa ka thënë se heshtja e Ramës për disa ditë do të ishte ndihma më e madhe dhënë Kosovës, në këto momente, raporton Express. Sipas Mihalit, “këtë e kërkon vetëm Serbia”.
“Mbase heshtja e Kryeministrit të Shqipërisë për disa ditë do të ishte ndihma më e madhe, në këto momente, dhënë Kosovës. Po ashtu, Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar që KFOR të marrë kontrollin në veri. E as nuk do ta bëjë.
Këtë e di dhe çdo fëmijë i vogël. Këtë e kërkon vetëm Serbia. Qeveria e Kosovës ka kërkuar vitin e fundit kryesisht shtimin e trupave të NATO-s në Kosovë referuar kërcënimit dhe akteve të vazhdueshme të agresionit nga ushtria e Serbisë në kufi me Kosovën”, ka shkruar Mihali.
Rama ka thënë në konferencën e sotme për mediat se KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës, propozim të cilin tha se e ka bërë më parë në samitin e NATO-s. Ai vuri në dukje se e ka paralajmëruar përshkallëzimin e ngjarjeve dhe theksoi se nuk duhet pritur më për të vepruar.