Kryeministri i vendit Edi Rama ka folur këtë të mërkurë në një konferencë të përbashkët për shtyp me zv.kryeministrin italian Antonio Tajani, sa i takon bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Rama shprehu falenderim për angazhimin e qeverisë aktuale italiane në të gjitha çështjet për rajonin, duke e cilësuar Italinë si “avokat” dhe zërin më të fortë në Bruksel për Shqipërinë
“Qeveria italiane po shfrytëzon potencialet e jashtëzakonshme në të gjitha fushat mes Italisë e Shqipërisë. Nuk ndodh gjithmonë që të shkosh në një vend tjetër me një delegacion kaq të madh dhe të mos kesh nevojë për kufje. Jo vetëm që italishtja është gjuha e dytë e shqiptarëve, por edhe gjuha politike është e njëjta.
Ne kemi plotësisht të njëjtat qëndrime mbi të gjitha çështjet dhe na kënaq që Italia është avokati ynë më i besuar në nivelin evropian dhe zëri më i fortë e i dëgjuar në Bruksel për të mbështetur Shqipërinë e Ballkanin Perëndimor në rrugëtimin evropian.
Na kënaq shumë që kjo qeveri ka një angazhim të veçantë për të kaluar nga shumë premtime në fakte konkrete në fushën e ekonomisë, në politikat e përbashkëta.”
Rama tha se lajm i mirë për shqiptarët në Itali është marrëveshja e pensioneve, e cila sipas tij është drejt përfundimit.
“Dua t’u them shqiptarëve se ka shqiptarë që janë në Itali prej vitesh dhe kontribuojnë në zhvillimine ekonomisë italiane, marrëveshja për pensionet është një arritje si pikënisje e shumë të tjerave.
Të gjithë shqiptarët e shumtë që kanë punuar e punojnë në Itali më në fund do ngrenë dolli për lavdinë e Republikës italiane dhe për këtë qeveri e vila do e çojë në fund këtë nismë nga pikëpamja sociale”, tha Rama.