Shefi i diplomacisë italiane Antonio Tajani paralajmëroi përforcimin e pranisë së trupave të NATO-s në kufirin Kosovë-Serbi, për të parandaluar përleshjet e mëtejshme, mes shqetësimeve për përshkallëzimit të dhunës në rajon.
Ai e bëri njoftimin në rrjetin social X, ku sqaroi se kishte biseduar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti duke inkurajuar rikthimin në dialog.
Së bashku me Ministrin e Mbrojtjes në Itali, Guido Corsetto po punojmë për të forcuar praninë e KFOR-it në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës dhe parandalimin e përleshjeve të mëtejshme. Ngjarja në Banjskë ka alarmuar komunitetin ndërkombëtar.
Të hënën i dërguari i posaçëm i BE për dialogun, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët diplomatikë të udhëheqësve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, diskutuan për situatën në Kosovë dhe bisedimet mes palëve.
“Bisedime të ngjeshura dhe shumë thelbësore me këshilltarët kryesorë diplomatikë të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe të dërguarin Escobar. Diskutuam për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit dhe situatën në veri. Mirënjohës për mbështetjen e tyre”, tha Lajçak.
Zyrtarë të BE-së njoftuan se Lajçak po punon për organizimi e takimeve të reja në Prishtinë dhe Beograd, në përpjekjen për rigjallërimin e bisedimeve, pas dështimit të raundit të fundit në 14 shtator.
Sulmi i së dielës shënon një nga ngjarjet më të rënda në Kosovë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 e cila u mbyll me ndërhyrjen e NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.