Kemi nevojë për një projekt të ri politik që shkon përtej Partisë Socialiste. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij të mbajtur në aktivitetin e 32-vjetorit të Partisë Socialiste që po mbahet në Pallatin e Kongreseve.

Rama tha se PS kremton 32-vjetorin me një fitore spektakolare, duke iu referuar asaj të 14 majit, teksa nuk kanë munguar dhe sulmet ndaj dyshes Sali Berisha dhe Ilir Meta, si dhe falenderimet për demokratë që nuk i votuan.

Kryesocialisti shtoi më tej se duhet të projektojmë të ardhmen duke u nisur nga vetja, sepse përndryshe s’do t’i shpëtojnë dot shuplakës së qytetarëve nëse nuk punojnë. Për kryeministrin Rama prioritet i prioritetit duhet të jetë njerzillëku.

“32 vjet më parë mori jetë PS, sot e kremtojmë këtë ditë të shënuar të familjes sonë politike me fitoren më spektakolare të këtyre 32 viteve ku shqiptarët nga dhanë mandatin për të qeverisur në 54 bashki dhe për t’u kujdesur për më shumë se 95% të banorëve. Fjala ‘faleminderit’ nuk do jetë kurrë e mjaftueshme për besimin që vajzat dhe djemtë e këtij vendi na dhanë. Që nga Shkodra demokratike deri tek Vlora socialiste. 

Nuk është dot mjaft i gjithë turi i mirënjohjes në tërë Shqipërinë, ku tani ka mbetur vetëm qershia mbi tortë, Tropoja, bashkia ku na mjaftuan vetëm 4 vjet për të bërë atë që të tjerët nuk bëjnë dot në 32 vite. Tropojanët votuan për të mirën e tyre, për pastërtinë e qetësinë e zhvillimin në komunitetin e tyre. Votuan për një Tropojë të rilindur që do vazhdojë vetëm përpara përmes agroturizmit. Kështu votuan edhe shkodranët, dibranët e kuksjanët që vendosën të ecin para duke i lënë mbrapa hijet kërcënuese të së shkuarës.

Kjo falë edhe shumë të djathtëve që e braktisën koalicionin e hijeve duke mos shkuar fare në votime. Faleminderit edhe atyre që u distancuan nga dy kryefigurave njëra me e kapur se tjetra nga hallet e tyre me dejtësinë dhe Amerikën. Ne pothuajse prekëm kuotën e 800 mijë votave, rezultati më i lartë ndonjëherë. Jemi forcë e parë në këshillat e 57 bashkive. Kundërshtarët tanë prekën kuotën e tyre më të ulët historike që nga periudha kur më keni besuar drejtimin e PS.

Për herë të 8, ata u betuan para pasqyrave dhe për të tetën herë rresht e nisën ditën e tyre përmbys. Si përherë ia morën atij avazit të vjetër me grabitjen e votës nga bandat e krimit. Do u mjaftonte të shkonin një ditë në Kamëz të shihnin sesa ka ndryshuar.

Dua të përgëzoj krybashkiakët tanë! Dua tu them se më shumë se merita e tyre rezultati i bujshëm i 14 majit është manifestimi i një pritshmëri të madh njerëzish për një ndryshim të mëtejshëm. Duhet të ndihemi njerëzit më të nderuar dhe privilegjuar që këtë pritshmëri qytetarët e Shqipërisë e lidhin me ne, si e vetmja forcë që përmbush pritshmërinë tyre. shumë largqoftë të mos gënjehemi me madhështinë e hartës politike duke kujtuar se ata që na votuan janë të kënaqur me ne. Jemi përditë në syrin e ciklonit përballë sfidave për të fituar e probleme për të zgjidhur.

Pa e futur thellë gozhdë në kokë sot që na e kanë dhënë tërë këtë besim të vërtetën se shqiptarët nuk kanë sesi të jenë të kënaqur me ne, ne s’do u shpëtojmë shuplakës së tyre nesër kur të na kërkojnë që të na votojnë përsëri. Duhet të projektojeni me të ardhmen duke e nisur reflektimin dhe punë nga vetja siç kemi bërë pas çdo zgjedhje, kur të tjerët kanë humbur dhe kanë bërtitur fitore. Sot ne kemi nevojë për një fillim të ri, për një projekt të ri politik dhe organizativ. Na duhet të shkojmë përtej PS-së ku të krijojmë një hapësirë të re politike dhe sociale. Duhet të hapim rrugë të reja për të bashkua në një komunitet të ri politik anëtarët, simpatizantët dhe qytetarët e interesuar të ecim para.  Prioriteti i prioritetit të qeverisjes vendore do të jetë njerzillëku. Qytetarët janë në pritje të diçkaje, të cilën fati dhe nderi ynë e kërkon prej nesh”– tha Rama.