Megjithse rihapja e hetimeve krijoi përshtypjen se këtë herë dosjes “Gërdeci” do ti shkohej deri në fund dhe Fatmir Mediu, ende me mandat deputeti, këtë herë nuk do të mund të dilte pa lagur, kjo ka rezultuar një zhgënjim. Më së pari për të afërmit e viktimave e më tej për mbarë opinionin publik që pret ndëshkimin për Fatmir Mediun, ish ministrin e Mbrojtjes së asaj kohe i përfshirë fare hapur në këtë tragjedi të madhe të rrjedhur nga një aferë e pastër përfitimi.
Zhgënjimi vjen e përforcohet kur seancat e gjykimit të shkurtuar shtyhen njera pas tjetrës duke nxitur hamendësimin e përfundimit me procedurë të përshpejtuar dhe në kohë rekord.
Edhe ditën e sotme ndodhi po e njejta shtyrje. Seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme u shty për në dt. 9 maj. Shkak u bë mungesa e dy prokurorëve, përkatësisht Altin Dumani dhe Arben Kraja. Edhe pse nuk vijoi, nisja-mbyllja e seancës së shtyrë pati tensione dhe akuza të forta nga familjarët e viktimave e veçanërisht familja Durda, drejtuar drejtësisë. Kjo, për shkakun se të afërmit e viktimave nuk janë bërë palë në proces, por dhe të shpejtësisë me të cilën institucionet e drejtësisë së re kërkojnë ta mbyllin gjyqin.
Fatmir Mediu GERDECI
Avokatët e Fatmir Mediut kanë përsëritur refrenin e njohur të pushimit të çështjes, me argumentin se ajo është parashkruar, pasi kanë kaluar më shumë se sa 10 vjet nga koha e kryerjes së veprës penale, shpërdorim i detyrës, deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur.

Në kërkesën e avokatëve për pushimin e çështjes, thuhet se më datë 14 shtator 2009, ditën kur Fatmir Mediu u rizgjodh deputet, çështja u pushua dhe nuk ishte më i pandehur, duke qenë se kishte imunitet. Ata thonë se nga ai moment, deri në 24 shtator 2021, ku u rihap çështja, kanë kaluar 12 vite dhe 10 ditë. Në kërkesë thuhet se sipas ligjit, nëse kalojnë 10 vite, çështja konsiderohet e parashkruar. Avokatët thonë se Mediu nuk mund të merret si pandehur dhe as të deklarohet fajtor, pasi e drejta për të ushtruar ndjekjen penale ndaj tij është parashkruar. Avokatët thanë në sallë se Mediu nuk ka asnjë faj për mosveprimin shtetëror ndër vite.

Të pranishëm në seancë ishin edhe anëtarë nga familja Durda, e cila humbi djalin e saj 7-vjeçar në shpërthimin famëkeq të Gërdecit. Por, GJKKO nuk i ka pranuar si palë në gjykim dhe kjo shkaktoi tensione mes palëve. Zamira Durda ka kërkuar drejtësi teksa thotë se ka 15 vite që endet gjykatave. “Dua drejtësi për fëmijën tim. Kam 15 vjet që endem dyerve të gjykatave. Fëmija im 7 vjeç nuk i njihte predhat. Fëmija im sot ha bar!”, ka thënë ajo.

Nga ana tjetër, tashmë GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar. Kjo do të thotë se nëse shpallet fajtor, i ulet një e treta e dënimit, përveç parashikimeve të tjera që ka Kodi Penal për këto raste, si një pezullim i mundshëm i burgimit. Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë, sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.

Më herët janë marrë të pandehur 28 persona për dosjen në fjalë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator. Mes të pandehurve edhe enturazhi ushtarak i FA-ve te Ministrisë së Mbrojtjes në atë kohë. Të tre janë liruar pasi në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës.