Superliga shqiptare e futbollit vijoi këtë të shtunë me ndeshjet e mbetura për raundin e dhjetë. Në Elbasan vendasit u ndalën 1-1 nga Skënderbeu, teksa në Korçë sfida mes Tiranës dhe Laçit u mbyll po 1-1. Kjo javë mbyllet sot në 19:30 në “Loro Boriçi” ku vendasit e Vllaznisë presin kryesuesit e Partizanit.

Në “Elbasan Arena”, AF Elbasani nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 kundër Skënderbeut. Edhe pse korçarët për 47 minuta luajtën me një lojtar më pak, “Tigrat” nuk mundën të dilnin me pikë të plota nga fusha e tyre. Gjithçka u zhbllokua nga Ermir Rashica që pasi dribloi dy mbrojtës kaloi Skënderbeun në avantazh gjatë minutës së 29-të. Më pas Prenci në të 43 minutë la korçarët me një lojtar më pak. Fundi i pjesës së parë solli edhe golin e barazimit me Ze Gomes, ndërsa në fraksionin e dytë VAR anuloi një gol për AF Elbasanin. Kështu, të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë, me AF Elbasanin që e ka barazimin e tretë radhazi.

Në stadiumin e Korçës, skuadrat e Tiranës dhe Laçit barazuan 1-1. Jarmouni ishte “engjëll dhe djall”, pasi në të 42 minutë kaloi Tiranën në epërsi dhe në fundin e sfidës shënoi në portën e tij për të bërë që Tirana të vuajë me vetëm një fitore këtë sezon.