Në 17-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një urim ka ardhur edhe nga kryministri i Kosovës Albin Kurti.
Ai tha se në këtë ditë duhet që të nderohen të gjithë ata që sakrifikuan për liri, ndërsa theksoi se sot Kosova është më e fortë se asnjëherë më parë.
“Ne sot nderojmë të gjithë ata të cilët sakrifikuan edhe u flijuan për lirinë tonë. Liria për të cilën kemi sakrifikuar kërkon demokraci që mundëson të dëgjohet zëri i popullit. Demokracia kërkon institucione të sigurta.
Republika jonë sot është më e fortë dhe vitale si kurrë me parë sepse forcuam institucionet demokratike dhe kemi ndërtuar institucionet tona që janë në shërbim të qytetarëve. Kemi ndërtuar shtet solidar për qytetarët”, tha Kurti.
Për shënimin e ditëlindjes së 17 të shtetit të Kosovës ekzekutivi ka organizuar një sërë aktivitetesh përfshirë homazhe e ngjarje kulturore.
17 vite më parë, në orën 15:39 në një seancë të Kuvendit të Kosovës u bë shpallja e pavarësisë së Kosovës. Në seancën historike morën pjesë 109 deputetë nga 120, të cilët e nënshkruan edhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm deputetët serbë.