Owen Cooper, vetëm 15 vjeç, është kthyer në një nga yjet më të komentuar të televizionit pas fitores së tij të madhe në Gotham TV Awards, ku mori çmimin si Aktori më i Mirë Mbështetës në një Miniserial ose Serial Televiziv, për rolin e tij në serialin “Adolescence”.
I pranishëm në ceremoninë e organizuar në New York, Cooper bëri gjithçka për t’u mbajtur mend: jo vetëm për çmimin e rëndësishëm, por edhe për fjalimin e tij të ëmbël dhe plot humor. Ai falënderoi prindërit me një batutë që shkaktoi të qeshura në sallë:
“Faleminderit që më krijuat!”
Aktori i ri ndau çmimin me Jenny Slate (43 vjeç), për rolin e saj në “Dying of Sex”, dhe emocionoi publikun me fjalët e tij të përzemërta për kolegen Erin Doherty, e cila ishte gjithashtu e nominuar: “Episodi që bëmë së bashku ishte i lehtë sepse ishe ti. Ishte një nder ta ndaja me ty. E meriton po aq sa unë.”
Seriali “Adolescence” ishte një ndër fituesit e mëdhenj të mbrëmjes, duke rrëmbyer tre nga katër çmime të mëdha: Miniseriali më i Mirë, Aktori më i Mirë për Stephen Graham, dhe Aktori Mbështetës për Cooper. Erin Doherty, megjithëse nuk fitoi, u vlerësua shumë nga kolegët.
Owen është tashmë fitues i çmimit Breakthrough Performance në IndieWire Honors dhe përflitet gjerësisht si një pretendent serioz për një nominim në Emmy. Nëse e fiton, do të bëhet fituesi më i ri mashkull në historinë e çmimeve Emmy.
Megjithë suksesin, adoleshenti thotë se fokusi i tij mbetet te shkolla dhe jo te fama, ndërsa falënderon ekipin e serialit, përfshirë regjisorin Philip Baradini dhe skenaristin Joe Johnson, për besimin dhe përkrahjen.