Nga Skënder Minxhozi

Këto dy data e përjashtojnë njëra-tjetrën. E para na kujton ditën kur shteti vrau, zhduku provat dhe përzuri hetuesit e prokurorët nga vendi i vrasjeve. E dyta në kujton datën kur Shqipëria nisi një rrugëtim i cili sot paraqitet plot probleme e sfida, por që ka një bilanc dhe ofron një premisë për të ardhmen.

Ka megjithatë edhe një element që i mban artificialisht së bashku këto dy data: atë të vrasjes së Ziver Veizit me shokë, me këtë të përvjetorit të institucionit që drejton Altin Dumani me të tjerët. Është fakti skandaloz dhe i turpshëm për të gjithë shoqërinë shqiptare, e posaçerisht për drejtësinë e re, që vrasja makabre shtetërore e 21 janarit vijon të mbetet ligjërisht e pandëshkuar!

Nuk ka asgjë të pathënë për 21 janarin. Një dekadë e gjysëm është një kohë e gjatë për akuza, kundërakuza, debat politik, sherr studiosh, kacafytje parlamenti e mbi të gjitha është një kohë mëse e mjaftueshme që drejtësia të mbledhë prova e të formulojë akuza mbi autorët dhe urdhëruesit e gjakut që u derdh në 21 janar 2011 në dyert e selisë së kryeministrit të vendit.

Është shkruar e folur pafund për ato vrasje, i jemi kthyer e rikthyer rrethanave, përgjegjësive, asaj që kanë bërë e thënë palët në atë ditë fatale apo dhe më pas. Kemi folur e shkruar më shumë ne, njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, sesa drejtësia, e cila në mënyrën më paradoksale e ka hedhur në kosh dosjen e 21 janarit. Para dhe pas përvjetorit të krijimit të SPAK. Pra, në kohën kur drejtësia ishte një pupël që bënte fresk pas shpinës së politikës, por edhe në këtë kohën kur plasën hetime vilash e korrupsioni ndaj politikës e goditje grupesh kriminale.

SPAK ka pasur guximin të ngrejë dorën mbi një numër politikanësh që akuzohen se kanë mëkatuar me fondet publike. Ka goditur për të njëjtat arsye gjatë rrugës edhe politikanë si Berisha e Meta, që ishin në krye të piramidës së shtetit në 21 janar kur u zhdukën serverat e u mallkua kryeprokurorja. SPAK ka pasur guximin të akuzojë me korrupsion Sali Berishën e Ilir Metën, por kur në dorë i erdhi një provë shtesë për 21 janarin, e ktheu mbrapsht atë si të ishte një rrobë e përdorur dhe pa vlerë.

Altin Dumani vazhdon të hetojë vjedhjet në të katër anët e horizontit të politikës shqiptare. T’i gjejë dhe t’i dënojë kudo që do të gjenden fajtorë pas tyre. Por të hetosh vjedhjet e të neglizhosh vrasjet, do të thotë të bësh drejtësi “a la carte”, me menu si në restorant, do të thotë të jesh selektiv dhe do të thotë të kesh frikë nga ajo ngjarje, apo edhe nga ajo tjetra që mori 26 jetë në Gerdec.

Teksa përkujtojmë 14 vjetorin e masakrës së 21 janarit dhe kremtojmë 5 vjetorin e SPAK, ne shqiptarëve që kemi paguar në të dyja format përkatëse për të dy këto përvjetorë, na lejohet të ngremë një pyetje të vjetër dhe të re: kur do të dënohet krimi shtetëror i 21 janarit? Kur do të marrë një fytyrë dhe një emër kjo masakër që la katër familje pa prindër e kryefamiljarë?

Altin Dumani po i ngjan përherë e më shumë Adriatik Llallës që dilte para mediave dhe deklaronte “bëhuni gati se do ketë ngjarje”. E pra nuk ka nevojë të shohë më larg sesa vendimi Gjykatës së Strasburgut, për të gjetur shtegun procedural që duhet të ndjekë në hetimet e tij.  Për të mos folur për malin e provave e rrethanave që hedhin dritë mbi ngjarjen. Le ta bëjë këtë që të mos bindemi edhe më shumë sesa jemi të bindur, se krimi i 14 viteve më parë paska qenë kaq i fortë dhe frikësues, saqë i mbijetoi edhe drejtësisë së vjetër, edhe kësaj të resë.

Pa hetuar dhe gjykuar 21 janarin shoqëria shqiptare dhe klasa e saj drejtuese nuk do të gjejnë qetësi dhe ekuilibër. Kurse SPAK do të ketë një minus të fortë në skendinën e tij publike e profesionale.